Më pas heshtja


Andrea mbyll zërat e impiantit të montazhit një e nga një. Kur mbërrin në komandën përfundimtare të fikjes së kompjuterit i duhet të luftojë me dëshirën e ringarkimit të programit. Mbathja që këtu thotë me zë, në vend që të shohësh këto kaseta të mallkuara.
Vë rregull në shënimet e vizionimit të një pjese të materialit të xhiruar. I ndryn me kujdes në sirtarin e parë të skrivanisë. Kalon nga lokalet e tjera të punës për të përshëndetur kolegët që kanë mbetur ende në ndërtesë dhe del, me hap të shpejtë tani.
Kish kohë që nuk shihte material të xhiruar aq bukur nga kontinenti i saj.
Në veturë nuk e hap radion. Gumëzhima e motorit i dhuron pak mirëqënie. Një mbrëmje të gjithën për vete, thotë Andrea me molisje. Një mbrëmje në kujtim të kohëve të shkuara, të epokës para Erik, një litar kohe i nyjëzuar i vetmuar i bukur dramatik mizerabël i përqëndruar për t’u patur zili.
Erik atë mbrëmje është për darkë me një mik të vjetër të vetin. E ajo ndihet çuditërisht e lehtë.
Por kur hap derën e apartamentit, trishtimi i është shtruar mbi ndërgjegje si një qilim i lagur.
Pret deri sa bie terri. Dëgjon kohën që rrjedh: një klesidrë e krisur mes duarve. Ka hequr sandalet. Ka vënë këmbët mbi njerën prej karrigeve dhe vështron ngjyrën e metaltë të thonjve. Ka lënë çantën e punës mbi tryezë. Kjo e fundit ishte krejt e zbrazët para pushtimit nga çanta. Andrea lë kokën për sipërfaqet e padhunuara, të lëmuara, esenciale në ngrohtësinë e drunjtë. Sikur të kish më shumë hapësirë, të paktën një dhomë më shumë, do ta kish shndërruar atë në një dhomë-dollap për t’iu shmangur mobiljeve me kanata në dhomën e gjumit e kuzhinë. Nuk i kanë pëlqyer askurrë dollapet.
Bën ngrohtë. Ajo ngrihet dhe vështron termometrin e murit. Edhe dy gradë më shumë e do të ishte nxehtë. Nuhat sqetullën. Nën aromën e djersëmbrojtësit gjen erën e njohur të lëkurës së vet.
Hap ujin e dushit thuajse të ftohtë krejt, zhvishet me të shpejtë dhe futet në të. Këqyr kokrrizat që i shpëthejnë mbi lëkurë, të befasuara nga aq mardh i papritur.
Më pas del nga apartamenti dhe le çelësin nën qilimthin e fshirjes së këmbëve. Ndoshta Erik mbaron takimin me shokun shpejt dhe e befason me një vizitë. Por mosrespektimi i vullnetit të saj nuk bën pjesë në karakterin e tij. Bëhu i paedukatë, psherëtin Andrea, bëhu madje edhe harbut për një herë të vetme, është kaq e shkretë mbrëmja pa ty.
Nis të vrapojë.
Pylli është i veshur me misteret e tij, ndaj nuk ia vë veshin gruas së re. Diçka hungëron larg, në qytet, apo në autostradën që çon në veri të kantonit. Andrea ka rrasur kapelen e lehtë me vrima që në strehëz mban të fiksuar një llampëzë.
Ai pyll e njeh hapin e saj prej dy vjetësh. Zbrazëtia e tij gjatë ditëve të javës i ka ngjallur ngaherë ndrojtje Andreas. Kërcënimi që fshihet mbas dritëhijes së trungjeve, vrapi i shpejtë i ndonjë qeni ikanak nga shtëpitë rrotull pyllit, kuturisja e saj në gjirin e tij pavarësisht nga frika që ndjen…, Andrea i përjeton këto si një sfidë për të cilën jo rrallëherë e ka quajtur veten budallaqe.
Fundjava është ndryshe, ngaqë vrapuesit derdhen aty nga të katër anët e qytetit. Por atë mbrëmje pylli është i shkretë. Diku në mes të udhës ajo sheh përpara saj një çift vrapuesish të tjerë. E ngadalëson hapin për të ruajtur largësinë. Çifti duhet të ketë një farë moshe, vëren Andrea, siluetat lëvizin me një zhdërvjelltësi të matur. Hijet e reja në moshë lëvizin me arrogancë. Ato më të moshuarat vrapojnë me urtësi: kanë rrumbullakësi në harqet e përshkruara nga krahët, një kujdes gati të dhimbshëm në këndëzimin e supeve.
Dy vrapuesit duhet të kenë pak a shumë moshën e Ezekiel Ramon Garsias, mendon papritur Andrea. Ndoshta disa vjet më të rinj. Ndoshta jo. Ndoshta edhe ai do të vraponte kështu, po ta kish arritur atë moshë. Ase do të ishte një burrë dembel e do të urrente çdo gjë që kish të bënte me ushtrimin fizik?
Çfarë profesioni do të kish zgjedhur ai në jetë vallë, po t’i kishin lënë kohë të dilte nga rinia e parë?
Ishte njëzet e gjashtë vjeç kur ia kishin prerë vrapin në mes: kish qënë student i vitit të fundit në shkencat politike.
Andrea ndalet. Këto përqasje e therin më dysh. Sytë ndjekin shpinat vrapuese të çiftit, largësia mes tyre e saj bymehet me shpejtësi. Llampëzat e vogla mbi ballet lozonjare të të panjohurve tallin errësirën.
Ajo del me hap të ngadaltë nga pylli dhe hap portën e veturës. Kërkon cigaret në sirtarthin nga ana e pasagjerit dhe e ndez një, duke thithur gjatë, pa e lënë tymin t’i dalë nga gryka. Mbështetet në ijen e shasisë dhe vështron natën.

Ezekiel Ramon Garsia do të mbartëte mbi supe peshën e pesëdhjetë e dy vjetëve, po të ishte gjallë. Do të ishte një burrë i bukur, një pesëdhjetedyvjeçar joshës me të cilin ajo, Andrea, do të kish patur mundësinë të grindej; ta kundërshtonte; t’i thosh se ai s’kuptonte asgjë; se kish mbetur mbrapa; se kish ardhur çasti që t’i ftillonte më në fund idetë e tij të ndryshkura; se brezat e tyre ishin aq të ndryshëm, krejt të ndryshëm e ajo s’dinte ç’të bënte me idealizmat e tij.
Quhej Ezekiel Ramon Garsia. Ishte burri që i kish dhënë jetën. Quhet ende Ezekiel Ramon Garsia. Ajo është e bija e Ezekiel Ramon Garsias dhe Monica Lara Garsias. Ia thotë këtë natës me zë të lartë.
Do të kish bërë biseda pafund me atë burrë, po t’ia kishin dhënë atë mundësi.
Andrea Garsia po e kërkon ende të atin, mbas njëzet e gjashtë vitesh nga çasti i ndarjes.
Duhet të jetë diku, një djalë njëzetegjashtë vjeçar në fotografinë e ngrirë në kujtesën prej fëmije të Andreas: një djalë i ngujuar në moshën e tij, një nga të shumtët që nuk mundën të plakeshin dot përveç vjetërimit të dy viteve nën tortura. Masakruar, përplasur nga njeri burg në tjetrin, nga një stadium në tjetrin, nga njeri garazh torturash në tjetrin.
Qe plakur gjatë atyre dy viteve, i ati. Ish e vetmja gjë që Andrea pati mundur të mësonte nga rrëfimet e të paktëve të kthyer nga ferri i viteve të diktaturës ushtarake. Ajo dinte që nuk e kishin vrarë me një plumb pas qafe, si të ëmën, Monikën. Ezekieli kish vazhduar të gjallonte edhe dy vjet më pas, pa e ditur që e shoqja tashmë qe ngujuar në një mur çimentoje në themelet e një pallati.
Ata kishin shkurtuar jetën e Monikës dhe kishin plakur jetën e Ezekielit në elektroda torturash; kishin djegur mishin e tij në netë të ngrohta si kjo.
E ndoshta, mes një torture e tjetrës, ai nuk kish mundur as të varroste pak nikotinë në palat e mushkërive të lodhura. Ndoshta i ati nuk e pinte cigaren? Ajo nuk mbante mend ta kish parë me cigare në dorë.
Çfarë i kish thënë pusit të qelisë netëve, Ezekiel Ramon Garsia?
Do e ketë ulëritur tmerrin e tij?
Do ketë qarë i çliruar, duke ia besuar territ dobësinë e frikës njerëzore?
Do ta ketë pritur natën ai njeri? Apo me avitjen e saj do ketë ndjerë edhe më çmeritje se gjatë ditës?
Ç’ka menduar në ata sekonda, orë, ditë, muaj, vite torturash?
Sa kohë e sa mund u qe dashur xhelatëve para se ta thyenin? E kishin thyer?
Ka ulëritur vallë;
ka kërkuar mëshirë;
ka mallkuar;
është përpjekur të vetëvritet;
ka besuar më në fund në Perëndinë, apo e ka përçmuar këtë më shumë;
ka shprehur një dëshirë të fundit;
apo qe gjallë.
Apo qe gjallë?
Apo është gjallë?
Vallë ende jeton diku, fshehur nga të gjithë, arratisur nga ferri i së shkuarës, nga përçudnimi i ëndrrave, strukur nga vetvetja, tëhuajtur, pështirosur nga e tashmja, arratisur edhe nga ajo vetë, Andrea, bija e vetme që po e pret prej njëzet e gjashtë vitesh.
E kish menduar ai? Kish thirrur emrin e së bijës në terrin e qelive? Apo kish patur frikë mos emri i Andreas lyhej me gjak në katakombet ku jeta përqeshej.
I kish dhënë ndopak forcë shqiptimi i emrit të saj, emër që ai vetë kish këmbëngulur t’i vinte? I kish dhuruar domethënie emri i saj, tek hidhte vallen e vdekjes me elektrodat në testikuj?
Apo tmerri qe më i madh se gjithçka, e kujtesa e tij kish mbajtur veç gozhdën e durimit ngulur në vëmendje.
Përse nuk e kishin dashur aq sa të mos e linin vetëm, prindërit e saj? kish pyetur Andrea veten gjatë gjithë atyre viteve.
Pse nuk e kishin dashur të bijën aq sa të mos e linin veten të arrestoheshin nga xhelatët e Videlës?
E kishin dashur vallë?
Apo Andrea kish qënë veç një aksident në aktin e tyre dashuror, një bezdi e pavullnetshme për të cilën ndoshta mbas kostatimit të shtatzanisë kishin mërmëritur dreqi ta marrë.
E kishin dashur thellësisht më pas, kur Andrea kish lindur? Apo ajo kish qenë thjesht një dhembshuri e hutuar që nëpërkëmbej mes luftës së tyre për të ndryshuar botën?
E kishin dashur vallë, e kishin dashur, idealistë të një bote të përdalë?
Andrea e kish masakruar Abuelën me këto pyetje për vite me radhë. Qenë grindur. Abuela qe zemëruar e qe ndjerë e pafuqishme para dëshpërimit të mbesës.
Në krye e kish qetësuar, i kish treguar dhjetra hollësira rreth atyre gjashtë viteve që kishin jetuar bashkë: Monika, Ezekieli e Andrea. Ia kish pikturuar me ngjyra të ndezura lojrat që prindërit patën bërë me të. I kish treguar fotografitë e tyre: ishin flokëshumë e të qeshur, me vështrime të qashtra. Andrea kish parë veten: një fëmijë me kaçurrela bjondë e sytë e stërmëdhenj që zinin gjysmën e fytyrës; Monika që qesh duke bërë jo me dorë në drejtim që atij që po i shkrep fotografinë; një tjetër Monikë, në profil tani, në të cilin Andrea njeh një kopje të hundës së saj.
Nuk bënin shumë fotografi prindërit e tu, shfajësohej Abuela, ishin si furtuna në verë, të gëzuar e kalimtarë.Por të kanë dashur zemra ime, oh sa shumë të kanë dashur.
Nuk të besoj, i kish bërtitur ajo. Nuk dua të të besoj. Ti nuk je ata. Ti nuk di asgjë rreth tyre, siç nuk dinë shumë prindër që kanë fëmijë njëzetvjeçarë.
Të lutem besomë. Nuk ke si të mos më besosh. Ti duhet të më besosh. Pse më mundon kështu shpirt i gjyshes? Unë vetëm ty të kam.
Andrea qe ndjerë në faj.
Më fal, e kish përqafuar me dhjetra herë, më fal.
Pak kohë pas largimit të Andreas për në Evropë, Abuela kish vdekur.
Dhe gjithçka kish mbetur pezull në jetën e saj, mbështjellë nga një heshtje pritëse që pritje nuk ish.

Vite më pas, tek udhëtonte në kërkim të një profesioni që të kish sa më pak nevojë për fjalë, bashkë me stazhin për të përvetësuar teknikën e montazhit televiziv, kish mbërritur tek Andrea e shkruara. Qe tjerrë pak e nga pak si një fije mëndafshi në një klimë armike, për t’u shndërruar në një pëlhurë të madhe, brenda së cilës ajo qe ndjerë në mos e shpëtuar, të paktën e ngrohtë. Por sa më shumë shkruante, aq më shumë i rritej malli për të atin.
Ajo e kish kërkuar atë burrë. Të ëmën nuk kish si ta kërkonte. Shpresat e Andreas, sado të verbra e kokëforta, nuk lidheshin dot me Monikën. E ëma kish një varr, nën një pallat prej betoni. Por Ezekieli endej akoma diku, s’kish rëndësi se ku.
Nuk kish kaluar ditë e natë në jetën e saj që ajo të mos e kish kërkuar Ezekiel Garsian.
Ai i pati premtuar se do të kthehej. Ia pati premtuar tek dilte nga dera, tek e shtynin me kondakët e pushkëve drejt daljes: shtëpia një det i përgjakur nga ulërimat e saj prej fëmije gjashtëvjeçar.
Monikën e kishin arrestuar një javë më parë.
Mos u tremb Andrea, unë do kthehem, mos ki frikë, do kthehem patjetër, do shohësh që do e mbaj fjalën, shko te Abuela e më prit atje. Ne do kthehemi! Ne do kthehemi André, shpirt i babit, André, të dua shumë, mos u tremb, ne do kthehemi, na prit te Abuela, unë do vi patjetër!
Andrea e pati pritur. Kish qënë një pritje e gjatë dymbëdhjetë vjet.
E kish pritur deri ditën kur mbushi të tetëmbëdhjetat.
Por Ezekieli nuk kish trokitur më në atë portë.
Shtëpia ndërkohë qe plakur.
Asgjë s’e lidhte më me Argjentinën.
Nuk mund të rrish atje ku të pret asgjëja.
Dhe pati ikur. Për të mos u kthyer kurrë më.
Jo, ajo nuk mund t’ia vinte në fjalë Erikut gjithë këtë. Nuk mund ta linte të dashurin të hynte në ato labirinte. Ish dashuruar thellësisht pas tij, i qe mirënjohëse për faktin që ai kish trokitur në derën e saj, por nuk duhej, nuk mundtëte kurrsesi të shtyhej më tej, ç’ishte e saj le të mbetej e saj.

Ndjemë Erik. I tha me zë në kabinën e veturës, tek kthehej në shtëpi. Llampëza në sedilen e pasagjerit kish mbetur e ndezur e përhidhej sipas ritmit të kurrizeve të asfaltit.
Asnjë prej të dashurve të shkuar nuk kish depërtuar në heshtjen e Andreas ngaqë ajo nuk ia kish lejuar kërkujt. Por ish edhe e vërtetë që askush prej tyre nuk qe shndërruar dot në një Erik, sado që qenë përpjekur.
Vetëm njëri syresh kish këmbëngulur, duke pritur që asaj t’i bëhej e domosdoshmme prania e tij. Por Andrea e kish shkapërderdhur kohën mes duarve, aq sa tjetri kish humbur durimin dhe qe larguar pa dhënë asnjë shpjegim: pa një fjalë përshëndetje, pa zemërim.
Andrea nuk kish ndjerë keqardhje.
Por ti mos ik, Erik, ti nuk duhet të ikësh, tha me të hyrë në prag të shtëpisë së saj. Ik të lutem.
E përfytyroi të dashurin tek flinte, me krahun e majtë nën faqe, ndoshta fjalorin spanjisht-italisht mbi komodinë, për të kuptuar më mirë atë që po lexonte.
Mbas leximit të romanit, ai do të qëndronte?
Andrea iu afrua kompjuterit. Kaloi duart mbi tastierë. Silueta e kokës së vet iu faneps në ekran, e rregullt dhe e errët.
Ajo kish humbur përgjatë viteve kaçurrelat dhe bjondësinë e flokëve. Këta binin tani të drejtë e të rëndë, me një autoritet të ashpër. Nga fëmijëria i patën mbetur vetëm sytë, përjetësisht të alarmuar, të mëdhenj.
Ezekiel Ramon Garsia do ta kish njohur të bijën nga sytë, edhe pse kishin rrjedhur njëzet e gjashtë vite që nga ndarja e tyre.




Print pagePDF pageEmail page