Ditë e bardhë e fyer

ELVIRA DONES - Ditë e bardhë e fyer

 

Quhem Ilir Bejko. Miku im quhet Maks Bauman e unë nuk di nga t’ia mbaj. Më duket sikur kam para vetes një faqe të bardhë, e gjitha për t’u shkruar. U bënë dy orë që kruaj kokën si guak duke përtypur fillime rrëfimi si kashtë kali e duke u vërtitur nëpër apartament. Sidoqoftë, nuk duhet të stis kurrgjë. Ajo që ka ndodhur ka ndodhur, dua apo s’dua unë. Kjo ngjarje rri e strukur pabesisht brenda stomakut të lodhur nga ulçera shumëvjeçare, që, me sa mbaj mend, duhet të ketë nisur të më torturojë që kur isha në bark të sime mëje, ndoshta edhe më parë.
Është një ditë e qetë në dukje, nga ato që nuk të zënë frymën me njëmijë gjëra të vogla, si për shembull të mbushësh frigoriferin e zbrazur me ushqime, apo të çosh për mballosje këpucët tek këpucari i vetëm i qytetit e kështu me radhë.
Është një ditë e çliruar nga detyrimet, dhe pikërisht këtu qëndron poshtërsia e saj. Në këtë strofkë nuk ka mbetur qoftë edhe një vrimë e vetme nga ku të përpiqem të shpëtoj.
– Rrëfeje një ditë që të jesh më nge, më qe lutur Maksi, filloje kur të kesh kohë, kupton?
Unë pata tundur kokën mjaft i nxehur atë ditë dhe i nxehur nuk është fjala që ta jep krejt idenë e kacabunëve që më patën ngërthyer.
Nuk di nëse ai e kishte të qartë se ç’po më hidhte mbi shpatulla duke më kërkuar që të rrëfeja. Nuk di nëse e dinte që kështu po më dënonte me një vuajtje edhe më të madhe se gjithë ajo që bluaja përbrenda prej shekujsh. Por ky ishte Maksi, dhe nuk mund të ndryshonte. Po të mos ishte i tillë, sot do të gjendej vetë i mpleksur me ngjarjen e tij, në vend që të ma hidhte përsipër si një rrjetë në det të hapur e unë të mbetesha si peshk, i vetmi peshk i rrjetës, që hap gojën për pak ajër, të fundit ajër, para se të lëshohet përfundimisht në kuadratet e lagështa të kurthit.
– Jam i lodhur, – pati deklaruar Maksi, sikur vetëm ai të kishte të drejtën të ishte i lodhur dhe ta shpallte këtë me zë të lartë. Sikur njerëzimi të mos ishte i lodhur nga gjithçka dhe sikur unë të mos isha i lodhur e sikur të mos kisha dëshirën që ta bëja unë atë që po bënte Maksi, sikur unë të mos kisha të drejtë të thosha jam i lodhur, mik.
– Jam i lodhur, mik, dhe ti do ta rrëfesh këtë… gjë, këtë jetë, këtë miqësi, këtë… Ti do ta rrëfesh, mik!
Kishte javë që Maksi nuk më thërriste më në emër, por me fjalën mik, sikur kështu t’i siguronte vetes apo mua faktin që, meqë isha mik, meqë më quante mik, kjo do të shërbente si kapistall, do të ishte mjaft lidhëse, detyruese për mua, dhe unë do ta kapja fillin e ngjarjes e do ta tirrja deri në fund.
– Ti do t’ia tregosh Aleksit të gjitha.
Më kish gozhduar me sy.
Ishte një ditë e bardhë. Dielli ishte i bardhë. Retë që i qëndronin rrotull diellit, pa guxuar t’ia zinin fytyrën, gjithashtu. Edhe qielli ishte i bardhë. Maksi kishte veshur një këmishë të bardhë, mbi pantallonat xhins blu të çelët, të ngushta mbi trupin e hollë me muskujt nervozë nën fanellatën e këmishës. Kjo ishte e gjerë. Mëngët i kishte shpërveshur deri sipër bërrylave, por e kishte lënë mjaft të hapur në gjoks dhe lëkura mbi krahërorin e tij, zakonisht e bardhë qumësht, qe nxirë nga dielli i atij korriku aq të pazakontë. Nuk di pse në atë çast e vështrova thellësisht, me intensitet, si do të thoshin nga këto anë. Me një sy ndoshta prej fotografi. Imtësia e atij vështrimi më tha se Maksi ishte një burrë i bukur në kuptimin e plotë të fjalës. Jo se këtë gjë nuk e kisha dëgjuar shpesh nga vajzat që i vinin rrotull, apo nga Aleksi, por kurrë s’i kisha dhënë rëndësinë e duhur.
Unë e kisha parë Maksin – në ato dy vjet miqësie kishim kaluar mjaft kohë bashkë, netë të thata dimri, netë të dehura nëpër rrugët e shkreta të Luganos, netë të dëshpëruara, kur unë qëndroja mbi kryet e Maksit ndërsa ai flinte duke mos ma lëshuar dorën dhe unë pyesja veten se ç’po bëj këtu, në zemër të natës, kur ky zullap zvicerani fle për shtatë palë qejfe e unë duhet të ngrihem me natë për të shkuar në punë – por nuk e kisha këqyrur Maksin në kuptimin estetik të fjalës.
Nuk di pse në atë çast mora hua një palë sy gruaje dhe e këqyra mikun. Ajo këqyrje kishte diçka femërore. Hollësitë që vura re ishin të tilla dhe u binda se ajo që thoshte Aleksi ishte e vërtetë. Maksi qe i bukur. Flokë biondë në ngjyrë gruri të pjekur plotësisht, të shkurtër, veshë të ngjitur pas kokës, një fije mjekre e sapodalë që ai e rruante me kujdes duke lënë gjithmonë vetëm atë shtresë të hollë, sapo të dukshme.
– Sikur të rruhesha kështu si ti do të dukesha qose e shkuar qoses, – qeshte ai.
Kishte blerë një nga ato makinat për rruajtje që kushtojnë një djall e gjysmë.
– Do të dukesha…, si i thua ti në gjuhën tënde?
– Zullap.
– Tamam zullap. Sekreti i kësaj bote janë hollësitë, një milimetër qime më shumë dhe dukesh mashkull, një milimetër më pak e dukesh zullap e qose. Sekreti i bukurisë së kësaj bote janë hollësitë, jo tërësia. Tërësia, e gjitha, totalja të bën të vjellësh. Pra, ti do t’i rrëfesh hollësitë e kësaj gjëje, mik, apo jo?
Pata pohuar me kokë, pa mundur të gjeja zë në kordat e grykës, ndërsa kordat e shpirtit po ulërinin pa pikë fuqie.
– Ti do t’ia rrëfesh Aleksit gjithçka që ndodhi në muajt e fundit?
Aleksi kishte ikur në Zelandën e Re. Ku të gjeja unë mundësinë të flisja me një femër që kishte hapur një vrimë nën këmbë e kishte depërtuar me një tryelë derisa nga ana tjetër e tokës kishte gjetur Zelandën e Re, vetëm e vetëm që të ishte sa më larg Maksit? Si t’ia rrëfeja Aleksit këto ditë të fundit? Ku t’i gjeja gjithë ato fjalë? Unë isha një picier i thjeshtë, gatuaja pica e aq. Isha edhe një farë zdrukthtari, edhe pak murator. Isha edhe refugjat. Një refugjat i përjetshëm. Por kjo ishte një gjë që nuk të jepte aftësi rrëfimi. Shumë-shumë më pajiste me njëfarë aftësie analizuese të cilën e kisha zbuluar brenda vetes veç kohët e fundit. Por për këtë, ndoshta, do të flas më vonë.
Të kthehem tek dita e bardhë.
Nën lëbyrjen e saj bukuria e tij dilte në pah me gjithë të fshehtat e saj. Kishte futur duart në xhepat e xhinseve dhe bardhësia disi e zymtë e ditës i jepte blusë së syve të tij një nuancë të zbërdhylur. Kaltërsia e tyre qe zbehur, si kthesa e fundit në jetën e Maksit. Emri i tij i vërtetë ishte Massimo. Ashtu si Aleksi quhej në të vërtetë Alessia. Nga kjo anë e Evropës e kishin zakon t’i shkurtonin emrat italianë apo mesdhetarë duke u dhënë atyre një theks verior, prusian, celtik apo diçka të këtillë. Emrat me tingull të këndueshëm gjatë cungimit merrnin diçka ushtarake: Alessia kthehej në Aleks, Françesko shkurtohej në Franko ose Frank (ishte një emër me tingull e kthehej në një lemzë), Massimo në Maks, Mikele në Maik apo edhe më zi, Maikh, me h-në gjermane në bisht të emrit që të shkulte bajamet vendit gjatë shqiptimit. Por këto janë gjëra subjektive, ndoshta isha vetëm unë që i shihja kështu ngaqë ndjeshmëria ime qe krejt e ndryshme nga ndjeshmëritë e këtyre anëve.
Maksi më vështroi e më vështroi, pa folur, ndonëse kjo ishte një ditë nga ato për të folur deri sa të të bëhej gjuha shkrumb nga dërdëllitjet.
Zot, se ishte një ditë për të folur ajo!
Mund të flisje pa patur nevojë të kuptoheshe. Edhe pa t’u lipsur që të nxirrje pasaporta e të thoshe: vij nga filan zullum apo fistek parajsë. Ishte një ditë kur mund të flisje, i sigurt se bota do të të kuptonte. Gjithë ferret e gjithë parajsat, nën butësinë prej puplash të atij qielli, ishin njëlloj të rrëfyeshme. Por ne Të Dy e humbëm atë mundësi dhe vazhduam të vështroheshim një copë herë aq të gjatë, sa kjo tinzare na e gëlltiti atë në barkun e vet të thellë sa fundi i oqeanit nëpër të cilin qe zhdukur Aleksi.
Qëndruam një copë herë kështu, me nofullat mbërthyer, si një çast para se dentisti të të urdhërojë që të tregosh thellësinë e qenies para dritës së ftohtë që të qëndron e pamëshirshme mbi kokë në ndenjësen e studios së tij. Disa adoleshentë mbi patinat me rrota na kaluan përbri duke na hedhur syve një vrundull ajri të nxehtë e të lagësht, por ne nuk ua varëm.
Maksi lëvizi nofullat dhe unë u ndera përpara si për të lehtësuar lindjen tingullore të atij shterzimi aq të vështirë. Por ai nuk polli fjalë. Të dy hodhëm sytë nga liqeni i Luganos. Barkat sorollateshin si tutkune pa adresa, me turistë të çoroditur lëkurëskuqur përsipër. Pjesa më e madhe ishin gjermanë. Zërat mbërrinin deri në breg. Nuk e kuptoja gjuhën, por dija të dalloja fare mirë theksin e gjermanishtes së gjermanëve të Gjermanisë nga ajo e gjermanëve të Zvicrës. Kot nuk jetoja në këtë vend prej pesë vjetësh. U humba një çast të gjatë, aq sa gati më erdhi gjumë. Kur ktheva kokën unë, e ktheu edhe Maksi. Sërish u gozhduam në bebëzat e shoshoqit.
E pyeta me sy se kush i kishte shpikur fjalët. Ai kishte njëzet e tetë vjet që jetonte nga kjo anë e botës, ca gjëra ndoshta do t’i kishte mësuar më në fund. Por ai, o ngaqë nuk e kuptoi pyetjen time, o ngaqë nuk deshi të përgjigjej, ruajti me kokëfortësi heshtjen.
Dikur iu zbut vështrimi i inatosur duke iu shndërruar në diçka midis ëmbëlsisë dhe përhumbjes.
– Ajo që unë prisja të më ndodhte ka kaluar, mik, – tha më në fund. – Unë… prisja të hynte diçka në jetën time.
Vështroi sërish rrotull. Një mjelmë po kalonte madhështore para këmbëve tona, ende e lagur prej ujërave të liqenit. Maksi nxori duart nga xhepat e xhinseve duke i nderur ato përgjatë ijeve si fëmijë i turpshëm, i ngathët.
– Prisja të ndodhte diçka në jetën time, por ajo shkoi pa ardhur mirë. E’ passata già, amico. E’ già passata, ormai.
– S’është e vërtetë, – iu përgjigja pa e ditur pse i thashë ashtu.
– Çfarë s’është e vërtetë?
– Që ka kaluar ajo që po prisje. Të flet vetëm dëshpërimi.
– U bë një copë herë që… një copë herë të shkuar, kupton?
Nuk e kuptoja, por nga përvoja dija se në raste të tilla, edhe sikur t’ia pohoja moskuptimin, ai nuk do të më ndihmonte që të kuptoja. Ndaj e lashë atë punë. Prita mos thoshte diçka tjetër dhe, ndërsa prisja, zemra filloi të më rrudhosej si një leckë e qullur.
– Pse nuk flet, – kërkoi të kruhej Maksi.
– E ç’të them?
– Ç’të duash, atë që të ka qejfi.
– Maks, mjaft tani, po më kall frikën.
Por këtë ia thashë në shqip. Ai nuk kuptoi dhe kjo e acaroi. Ia përktheva fjalinë.
– Ah, – bëri, – pra po të fus frikën, e pse?
Heshta, dhe sepse më erdhi një shkulm dëshire që të isha larg që aty, ndoshta nga ana tjetër e botës. Do të kishte në këtë rruzull një qoshe të vetme ku unë të qëndroja larg tokës sime, larg kësaj toke ku jetoja prej vitesh e që ende s’i qe mbushur mendja të më pranonte në gji të saj, larg dhimbjeve dhe gëzimeve, atje ku të mund të gjalloja pa gjithë këto, por ama të gjalloja. Fundja kush e kishte thënë se duhej jetuar me kujtime, dhimbje, gëzime e më the e të thashë? Nuk mund të jetohej dhe aq? Pa asgjë. Do të isha i lumtur të jetoja pa asgjë.
– Ç’po mendon? – u bë kureshtar Maksi.
– Është ca e…, është e koklavitur, nuk di si të ta them.
– Ti provo të ma thuash.
– Lëvizim që këtu, – iu luta me një zë që doli i përgjëruar, – u bë gjysmë ore që jemi ngulitur këtu si gozhdë të ndryshkura.
– E pse të ndryshkura?
Sytë e tij qenë bërë të këqij, cytës, gjë që e njihja mjaft mirë dhe me të cilën më qe dashur të luftoja shpesh në vitin e fundit.
– Maks, jam i lodhur vëlla, mjaft tani.
– Edhe unë, mik.
– Thirrmë në emër, pash zotin.
– Pse, mik të duket një fjalë e papërshtatshme?
Nisa të ec me të shpejtë duke u përpjekur të kontrolloja ankthin që më kishte kaplluar e që po më komandonte këmbët drejt parkingut ku kisha lënë rrangallën. Ai më ndoqi pa më ndalur. Dihaste sikur të ishte në pikat e fundit të oksigjenit. Por nuk më erdhi keq. Vazhdova të eci deri sa ajri i lagësht m’i qulli mushkëritë si tenxhere me avull. Kur u ndala Maksi po i thoshte mirëdita dikujt pas meje. Nuk u ktheva dhe, siç e prisja, ai më doli karshi. Lodhja po më vinte poshtë. Pas një ore duhej të paraqitesha në punë dhe një natë më parë kisha mbyllur sy vetëm dy orë.
– Më fal. Nuk e di as vetë ç’më zuri kështu.
– Në rregull.
– Mund të vij me ty?
– Jo.
– Më bën të marr autobusin nëpër këtë vapë?
– Puna jote.
– Do të shihemi sot në darkë?
– S’ma merr mendja.
Ia preva, ndonëse dëshira për të ndenjur me të qe e madhe. Sidoqoftë, qeshë aq i lodhur, sa e dija që nuk do të kisha patur fuqi të përballoja digën e përhumbjes së tij dhe ato që doja t’i thosha prej kohësh do të ktheheshin në fjali të rëndomta e pa lidhje. Nuk isha njeri me shkollë e as me ndonjë aftësi të lindur, merre me mend pastaj të lidhja mendime bindëse për të mbushur kokën prej mushke të Maksi Baumanit. Shumë-shumë ajo që i njihja vetes ishte një lloj aftësie për t’i vënë re gjërat. Ishte observimi aftësia ime, por edhe ky mbetej në një shkalle embrionale dhe mjaft vetjake. Kur prej këtij observimi kërkohej që të shprehte vetveten, gjithçka bllokohej. Dhe në vend që të rrëfeja edhe atë pak që kisha kuptuar prej dukurive apo ngjarjeve, tregohesha idiot në fuqi të katërt, më mbyllej goja e, bashkë me të, edhe gryka e rrëfimit.
– S’ma merr mendja, Maks, përsërita.
Tani ishim nën hijen e mimozave buzë rrugës që çonte drejt parkingut të madh në deltën e liqenit në lagjen Kasarate. E bardha e ditës kishte marrë një pamje të zymtë, të një grije edhe më të shpëlarë e pa pikë karakteri.
– Të lutem, – tha ai.
– Jo.
Iu përgjigja thatë dhe aq prerë, sa ndjeshmëria e tij, që unë e njihja mirë, nuk do të këmbëngulte të më mbushte mendjen per të kundërtën. Kështu ndodhi. Nuk vazhdoi më tutje.
Tani e di se, po të ma kishte bërë atë lutje edhe një herë tjetër, unë do t’i isha bindur si pulë, duke i falur Maksit netë e netë të tjera, në një zinxhir të mundimshëm zemërhapjeje që tashmë njihja përmendsh.
Por i lodhur nga endja e kotë që kisha bërë në këtë jetë, e së cilës ende nuk i shihja një fund të qartë, atë ditë u tregova i patundur. Ndoshta për herën e parë dhe të fundit në tridhjetë vjetët që shkela koren e tokës unë u tregova i patundur.
Thua të ketë qenë hera e vetme kur Nuk Duhej të isha treguar i tillë? Thua po të isha takuar me të atë natë, e nesërmja do të qe gdhirë ndryshe?!
Ai më nguli gishtin tregues në gjoks.
Kishte duar prej pianisti, me gishta të gjatë, të fortë, nervozë, ndonëse nuk kisha parë ndonjëhere nga afër duar pianisti, Maksi ma kish fryrë kokën aq shumë me incizime koncertesh për piano, sa kjo gjë më kishte bërë të krijoja një ide rreth duarve të tyre. Sesilë Bauman ishte pianiste. Ajo kishte të njëjtat duar, si Maksi, por në version femëror. Nga koncerti i fundit që kishte dhënë në Nju Jork i kishte dërguar të vëllait para tre muajsh një fotografi ku në plan të parë i kishin marrë duart. Në kurriz të fotografisë Sesila pati shkruar më ka marrë malli, dëshiroj t’i vë në shpatullat e tua, më ka marrë malli për shpatullat e tua vëllaçko.
Duke e shtyrë gishtin në mes brinjëve Maksi tha:
– Premtomë që do ta tregosh këtë ngjarje. Për Aleksin dhe për Sesilën. Në rregull?
– Mjaft tani me këto budallallëqe se më çave kokën!
Kisha ulëritur, por askush nuk ktheu kokën, veç Maksi mbeti një çast në mëdyshje, pastaj iu ndezën sytë.
– Kur mbaron punën sonte?
– Si gjithmonë, në orën dy.
– Në Nju Jork ora dy e mëngjesit është ora dhjetë e mbrëmjes.
– Dhe çë?
– Domethënë se Sesila mund të jetë në shtëpi e ti mund t’i dërgosh një e-mail nga ana ime.
Kur niste të qahej me këtë ton më vinte ta zija me shuplaka. Sikur të kisha një shtrat a diçka të tillë, do të shtrihesha mu në mes të trotuarit e do t’ia merrja një gjumi nga ata që ndodhte t’i bëje vetëm një herë në jetë. Fërkova qepallat duke u munduar të vija në vete.
– Shkruaji ti Sesilës, pse më fut mua në këtë mes?
– Mos bëj sikur s’e di.
U pamë si dy gjela deti që i kanë detyruar të zhvokshin shoshoqin me sqepa në një ndeshje klandestine në ndonjë oborr të pocaqisur të ndonjë lagjeje po aq të pocaqisur metropolitane.
Maksi ia plasi gazit dhe kjo sikur ma nxori pak gjumin.
– Ç’ka këtu për të qeshur? – e pyeta sa për të thënë diçka.
– Po flasim kodra pas bregut, – m’u përgjigj duke iu mbushur sytë me lot, gjë që ndolli edhe më pezm.
– Ika Maks, duhet të shkoj të ndërrohem dhe të nxitoj për në punë.
– Do t’i shkruash Sesilës?
– Në rregull.
– Ma ke premtuar. Mirë mbeç mik, – tha Maksi dhe m’u hodh në qafë.
Fiiufiuuu, fishkëlleu një grup vajzash që në atë çast po kalonte pas shpinës së Maksit dhe para syve të mi të lagur nga mallëngjimi.
– Nuk kuptoj çfarë do të thuash Maks Bauman, i thashë dhe u shkëputa duke ndier në gishtat e duarve mungesën e dëshirës së shpatullave të tij për t’iu larguar përqafimit.
Grija e ditës tani i kishte bërë një aureolë rreth kokës dhe unë, pa mundur ta ndaloja veten, iu hodha në qafë sërish, për të mbledhur në kraharorin tim prej shqiptari të vetmuar vetminë e tij prej evropiani, që unë jo rrallëherë kisha patur zili në këto vite, ngaqë më ishte dukur një vetmi e përballueshme dhe disi e kotë. E unë me gjithë shpirt do të kisha dashur të kisha një vetmi të kotë brenda e rreth vetes. A mund t’i thuhej një miku mashkull të dua pa patur frikë se kjo gjë mund të keqkuptohej, apo të merrej si diçka tepër patetike? Natyrisht që nuk ia thashë. Mentaliteti im prej ballkanasi nuk më la ta shqiptoja këtë dashuri që ngrohej prej kohësh mes brinjëve. Por brenda vetes betohem që ia thashë, ia thashë fort, në të dyja gjuhët. Të dua Maks, i thashë në shqip; ti voglio bene Maks, i thashë në italisht dhe tani isha unë ai që me vështirësi shkëputej prej krahëve erëmira të tij.
– Nuk kuptoj ç’do të thuash me këto fjalë koti, byrazer. Nganjëherë vërtet dukesh sikur të mungon një dërrasë. Do të shihemi nesër mbasdite, mirë?
– …
– Nesër në mëngjes mos ec të më zgjosh se do të jem i vdekur për gjumë. Nesër mbasdite shkojmë të pijmë diçka bashkë.
– …
– Maks, në rregull?
– Nesër mbasdite nuk do të shihemi dot, – tha ai me sytë gjetkë.
Mora të iki duke ndier se si po shqyeja mishrat e shpirtit tim. Këto po zvarriteshin pas, copëra të mbetura në nofullat makabre të kësaj hiene me emrin jetë. Kisha humbur. Në atë çast doja veç t’i shpëtoja dështimit tim.
Ika. Duke vrundulluar në ajër çelësat e veturës, në tufën e madhe që ndrynte në rrethin e metaltë çelësin e picerisë, çelësin e apartamentit, çelësin e lokalit ku rrinte e ndryrë rrobalarësja e përbashkët e banorëve të pallatit, çelësin e pishinës nëntokësore në të cilën gjatë fundjavëve punoja si pastrues për të rrumbullakosur ca rrogën.
Maksi më ndoqi prapë.
Një furgon i Kryqit të Gjelbër ndezi papritur sirenën dhe turfulloi rrugëve si një grua histerike në kulm të nervave. Më mirë që u ndez ajo sirenë, për të mos ndier pas shpine dihatjen prej ndjekësi të Maksit dhe rënkimin tim prej burracaku.
Kur mbërrita në parking një gjobë më priste mbi xhamin e përparmë të rrangallës.
– Phu, ta dhjefsha racën!
– Ilir, – tha Maksi me zë fare të ulët.
– Ah, pra e paskam një emër.
– Ti rrëfeje ngjarjen në vetën e parë, sikur ti të ishe ti dhe ti të ishe unë.
– Të ka hipur temperatura që flet përçart?
– Rrëfeje në vetën e parë.
– Unë nuk i ha këto broçkulla, dëgjove? Më ka ardhur në majë të hundës nga dokrrat e tua, deri këtu jam mbushur, – bëra me dorë sipër flokëve.
Ik, i thashë vetes, ç’pret, nuk je mësuar me kurthet e tij? Ç’pret që s’ia mbath një herë e mirë nga ky i çmendur, nga ky qytet, nga ky kanton, nga ky vend, nga ky kontinent, nga ky qiell, nga kjo galaktikë? Pse nuk i le targën gjithçkaje, edhe vetvetes?
Por qëndrova aty si më i madhi i tuafëve që kishte lindur nëna ndonjëherë.
E kam të qartë që s’po kuptoni kurrgjë nga ky rrëfim që i ngjason më shumë një lemze. Ma bëni hallall, unë gjërat që mund të rrëfehen me një rrokje i tjerr një vit të tërë, e ato që lipsen të rrëfehen me hollësi i cungoj për ibret.
Qëndrova aty, pra, si tuafi më i pafuqishëm i pjellë nga nëna Pafuqi. Dhe për një çast Maksi mori një pamje të qartë, të kthjelltë, të prerë, racionale, që e vishte me autoritetin e një profesori matematike. Zot sa i shkonte ajo pamje, edhe pse binte në kundërshtim me sytë e tij prej fëmije të lindur në një ditë të hutuar. Nuk dukej se po kërkonte të më mbante me fjalë në ato çaste. Pika çuditëse në cepat e buzëve të tij qe definitive, si thuhej nga këto anë.
– Tani po iki, Maks, vërtet, jam aq vonë, sa…
– Po iki edhe unë. Në vetën e parë, mos harro.
– Ma hëngre shpirtin o rob njeriu. Tregoji vetë menderet e tua, dëgjove? Në çfarë vete që të duash, mua më mjaftojnë të miat. Ika tani se u bëmë si ato plakat që s’dinë si ta shtyjnë gallatën e pensionit dhe dërdëllisin gjithë ditën e perëndisë.
– Të pickoi zekthi që more zjarr kështu?
– Më pickove ti. Ma bëre trurin dhallë ma bëre, hajt me të mira mbeç.
Hipa në veturë dhe ndeza motorin duke ulur xhamin e dritares, njëkohësisht. Vura marshin retro por Maksi nuk shkulej nga vendi dhe unë nuk mund të lëvizja pa e cikur me ijet e veturës.
– Hiqu, de, që andej.
– Të kujtohet ai koncerti për piano që të dhurova para një muaji?
– Po, Brahms a ku di unë.
– Koncerti në re minor, opus 15.
– E çë pastaj?
– Dëgjoje nesër mbrëma.
– Nuk do të shihemi nesër, thamë?
– Ti the, unë s’thashë asgjë.
– Djalo, ti ia ke ngenë, mua më duhet të nxjerr bukën e gojës.
– Ditën e mirë.
– Dita gati iku.
– Epo mirë, si të duash. Mbeç me të mira.
– Edhe ti. E mos bëj budallallëqe sonte, se s’kam ndër mend të të bredh pas, dëgjove?
– Si urdhëron mami.
– Mami i sat’ëme.
Maksi qeshi dhe unë ia pasova. Më në fund u spraps e unë dola nga parkingu duke u ndier papritur i lehtësuar, me një lehtësi prej budallai.
Kështu u ndamë. Ato qenë fjalët e fundit që shkëmbyem në këtë jetë. E pashë nga pasqyra pasvështruese tek zvogëlohej e zbërdhylej në bardhësinë e asaj dite për t’u harruar.
Ngava si i çmendur deri në shtëpi. Bëra një dush të shpejtë, vesha rrobat e punës dhe lava dy pjatat e një nate më parë kur i kisha gatuar Maksit e vetes nga një pjatë spageti me hurdhër, vaj ulliri e piper djegës, gjë që na e kishte vënë shpirtin në vend, ndonëse bënte një vapë prej derri.
Kuzhina kishte nevojë për një dorë të mirë pastrimi, ndoshta gjatë fundit të javës do të më vinte pak dëshirë për ta sjellë në terezi atë të bekuar strofkull, që shyqyr që e kisha, së bashku me punën në piceri dhe kokën mbi shpatulla.
Para se të dilja i hodha një sy sirtarit ku mbaja ato pak disqe që kisha blerë nëpër vite, ato pak herë kur ia kisha lejuar vetes të thosha: në dreq të vejë kursimi e gjithë të tjerat.
Kish raste kur më kapte edhe mua gripi i dorëshpuarjes. Qe e vërtetë që isha refugjat, por kjo nuk ma hiqte deri në fund ndjenjën keqbërëse që ende të isha njeri. Refugjati duhej të mbetej refugjat, dakord. Por çdo rregull kishte më shumë se një përjashtim dhe unë kisha përfituar nganjëherë duke përdorur njërin prej këtyre përjashtimeve. Kisha vendosur që për një fragment të vogël gjallese mund ta quaja veten njeri, se s’bëhej kiameti. Por edhe sikur të bëhej, në të s’ëmës.
Në të s’ëmës, i thashë apartamentit me mllef.
Kërkova me duar në gjysmëterr diskun që më kishte kujtuar Maksi. Johannes Brahms, Piano Konzert No.1, op 15, d-Moll. Hajde koklavitje! Edhe klasikja më duhej mua që mezi kisha mësuar marifetet e kësaj ane të botës me gjithë ato formularë për të mbushur, rregulla për të ndjekur, ultimatume për të respektuar e të tjera e të tjera.
Them në gjysmëterr se nga e nxehta e madhe pata mbyllur grilat përgjysmë, gjë që e errësonte dhomën duke i dhënë pisllëkut dhe rrëmujës një pamje gati fisnike.
Maksi ma kishte dhuruar atë disk në një vrundull të pafrenueshëm për të më emancipuar nga ana muzikore, sipas tij. Unë kisha luajtur gjithë teatrin që meritonte një dhuratë e tillë, domethënë ide e shkëlqyer vërtet, pse jo? Ku është e shkruar që unë nuk duhet të kuptoj diçka më shumë nga gjithë ato pallavra me të cilat ti hallakat minutat e orët e jetës sime, vëllaçko. (Këtë e kisha thënë në shqip.) Ti ma rokandis që ma rokandis kokën, të paktën të gdhendem edhe unë, të bëhem qytetar i botës, apo jo?
Por në të vërtetë, ajo dhurate kishte një arsye tjetër. Ai kishte një mall të çmendur për Sesilën, që tashmë qe bërë njujorkeze dhe që ato kohë po luante koncertin numër një të Brahmsit në d-Moll a në re minor apo kush dreqin e di çfarë, në atë të famshmen Juilliard School. Dhe Aleksi qe nisur për në Zelandën e Re.
Ta vë apo jo këtë disk, i thashë vetes. Vetëm fillimin, sa të kujtoj si është. Ashtu bëra.
Ai filloi, madhështor e rrëmbyes edhe për një vetmitar si unë. Qëndrova mes pocaqisë së dhomës dhe m’u duk vetja mbret. Mbylla sytë.
Përfytyrova tokën që nuk shihja prej pesë vjetësh. Sipas rregullave të Zvicrës nuk mund të dilja jashtë vendit bujtës, po të mos doja të humbisja të drejtën të hyja përsëri.
Më erdhën në mend si një e vjellë e fuqishme aromat dhe ngjyrat e Tiranës, para se kjo të dëshpërohej përfundimisht në marrëzinë e saj vetvrasëse. Atëhere kur Tirana kishte ende shpresë dhe ne gdhiheshim bashkë me të, të dehur, duke rrokur trupin e saj mes një dashurie syhapur, duke gëlltitur si kanibalë të rinj agimet e botës, të kësaj bote që deri atëhere nuk kishte ditur se ne ekzistonim e as që donte t’ia dinte. Por ne këtë nuk e dinim. Nuk e dinim se bota as që e çante kokën për ne, pra injoranca e saj ishte e vullnetshme e jo e imponuar. Po si mund t’i dinim, kush të na i thoshte vallë gjithë këto gjëra?
Më erdhën në shqisa këto aroma dhe turfullova nga larg me një mall prej luani. Sikur ta kisha Tiranën pranë atë çast do ta kisha shqyer nga dashuria. Fat që ajo ishte larg, ndryshe do t’i kishin mbetur vetëm rreckat e përgjakura.
E solla veten në vete dhe u kujtova që po të mos nisesha menjëherë për në punë mund edhe ta quaja veten një njeri të vdekur. Pasi pushimi nga puna për mua asokohe donte të thoshte dënim me vdekje.
Shtypa dhunshëm tastin fund, futa kompakt-diskun në kutinë e vet të hollë e nervoze dhe u nisa.
Ndonëse nuk ndihesha fort mirë, rregulli numër një ishte: mos i dëfte padronit, as kolegut, hallet e tua. Kështu që hyra në restorant me një buzëqeshje prej debili.
Ishte ora pesë e dhjetë minuta. Duhej të kisha shkelur pragun në orën pesë fiks. Kjo vonesë donte të thoshte se në mbrëmje, pas mbylljes së restorantit, duhej të zvarritesha si kërmill duke dëftyer një zell edhe më të madh se zakonisht, për të bërë që të më falnin dhjetë minutat e vonesës. Ashtu bëra. Ndoshta picat atë mbrëmje më dolën edhe më të mira se herë të tjera. Këtë nuk jam në gjendje ta vërtetoj me siguri, ndonëse u përpoqa.
Disa herë gjatë orëve të punës buzëqeshja më rrëshqiti nga fytyra si çorape najloni e cilësisë së dobët duke m’u varur nën mjekër. Padroni atë ditë i kishte curullahet edhe më të ngritura se zakonisht dhe kamarierët e shkretë nuk po dinin si t’i shmangeshin. Kështu që m’u desh t’i jepja një të shkundur vetes dhe ta ngjisja buzëqeshjen, bashkë me vëmendjen, në pjesën veriore të qenies sime fizike. Duhet t’ia kem dalë mbanë në një farë mënyre, pasi shefi i kuzhinës nga mbarimi i darkës erdhi dhe më llomotiti një si biçim përgëzimi që vinte nga një tryezë e madhe në fund të sallës, ku kolegët e një qendre pune bënin një picambrëmje nga ato të tipit le të duhemi të gjithë shumë meqë na zuri rrota bishtin, mor aman.
Në fund unë dhe çiraku i ri që kishte filluar punë para një jave pastruam, vumë rregull, morëm pluhurat, vumë larësen e pjatave në punë, lamë gjithë tenxheret, tavat e të tjera me radhë që nuk po i tregoj këtu me hollësi, ndryshe më merr të qarët, dizinfektuam, mbyllëm thasët e plehrave dhe i nxorëm deri në qendrën e grumbullimit. Dhe shqyem nga trupi përparëset e punës. T’i hiqje këto të fundit pa ndrojtjen se bosi mund të të shihte shtrembër ishte një kënaqësi më vete, që, kush nuk e ka provuar, nuk mund ta dijë se ç’është. Por bosi ndërkohë me siguri flinte, apo grindej me gruan dhe ora ishte tre e mëngjesit e unë, mbasi çiraku u largua duke llomotitur një përshëndetje që më shumë i ngjasonte një plaç-i, i thashë natës:
– Sikur të isha në vendin tënd, o natë, do t’i lija njerëzit rehat e nuk do t’ua haja shpirtin me mendime pa kuptim.
Kjo nuk ma vari. Por unë, si njeri i duruar që isha, prita se mos ndoshta ajo ndërronte mendje, në mos për tjetër, për edukatë, meqë të gjithë nga kjo anë e kontinentit pëlcisnin që ta dëftenin veten të edukuar. Por nata hiç. Vazhdoi të mos ma varte, kështu që e pashë të udhës t’i bëja një kërkesë edhe më të saktë, meqë kjo e fundit ishte në thelb gjëja që kisha më për zemër.
– Mbroje Maks Baumanin sonte, nesër nuk të kërkoj më gjë, – i thashë.
Si duket, natës do t’i ketë bërë përshtypje kjo kërkesë e pazakontë, sepse me sa munda të mbledh më vonë gjurmët e ngjarjeve, kjo e paskej lënë të qetë Maks Baumanin. Madje qenkej shtyrë edhe më shumë: ia paskej zbrazur mendjen nga kruajtjet dhe ai paskej fjetur si engjëll.
Sikur t’i kisha kërkuar edhe të nesërmes që t’i jepte një dorë mikut tim, ndoshta edhe e nesërmja do të më kishte ndihur.
Sikur të kisha pranuar ftesën e tij që atë mbrëmje të shiheshim, që donte të thoshte se ai vinte në restorantin ku punoja, hante një picë që ia paguaja unë me të drejtën e tridhjetëpërqindëshit të uljes së çmimit, priste deri sa unë të mbaroja turnin e më ndihmonte të vija rregull e të pastroja.
Ishte maniak i madh i pastërtisë, aq sa në apartamentin e tij të zinte lemeria nga steriliteti i objekteve e mobiljeve të pakta në stil esencial. E pastaj më rokandiste kokën me problemet e tij pafund.
Sikur ta kisha pranuar atë ftesë! Ndoshta sot nuk do të gjendesha në këtë hall të madh që ta rrëfej ngjarjen tonë ku unë të isha unë dhe sikur po unë të isha Maksi.
Sikur Aleksi të mos ishte larguar për në Zelandën e Re dhe marrëdhënia e tyre të vazhdonte, hiq e mos këput, si më parë, por të vazhdonte!
Sikur Sesila të mos gjendej në qendër të Mollës së Madhe e përpirë nga perfeksionimi pianistik në shkollën me emrin Juilliard!
Sikur mua të mos më qe dukur përhumbja e Maksit atë mbasdite njëlloj si të tjera çaste krizash që rëndom kisha hequr mbi lëkurë, sidomos gjatë vitit të fundit!
Por me sikuret mund edhe të fshija prapanicën se asgjë nuk ndryshonte. Dhe asgjë nuk ndryshon.
Dikur, para nja tetë a dhjetë muajsh, i kishim premtuar shoshoqit që të mos gënjenim. Ndërkohë ai më ka gënjyer aq herë, sa, sikur të mund t’i depozitoja në bankë profkat e tij, sot do të isha aq i pasur, sa të më dilte kamja për veshësh. Por unë nuk mund ta bëj një gjë të tillë, se burri për fjale mbahet, të paktën një farë burri në kategorinë e të cilit rrekem ta përfshij veten.
Kështu që më duhet të mbaj premtimin për ta rrëfyer ngjarjen, apo ngjarjet, në vetën e parë njëjës. E, meqë zotëria i tij Maks Bauman ka çarë ferrën, më duhet të vihem edhe në këmbë të tij dhe të shtrydh trutë e mushkëritë për ta bërë këtë gjë.
Po si mund të flas sikur të isha ti kur nuk jam e nuk kam qenë kurrë në kokën tënde?
Kështu si të them unë, bëje e aq!
Një fjalë goje.
Hë mor burrë, mos i fry gjërat kështu si deve me barrë!
Ashtu të duket ty?
Ashtu është, jo ashtu më duket mua. Gjërat janë më të thjeshta nga sa pandeh. Ti do të mbetesh gjithmonë mbi këtë tokë, kurse unë jam vetëm një kalimtar. Pra, kush mbetet rrëfen, kush ka ikur nuk mund të rrëfejë, pasi gojën e tij e ka marrë me vete.
Kishim qenë të dehur paq atë natë. Një nga netët e shumta të shkapërderdhjeve, kur unë dehesha për të harruar e ai dehej për t’u ndier esëll. Por edhe kjo është e vështirë për t’u rrëfyer. E vërteta është që tani duhet ta kullandris në njëfarë mënyre e nuk kam forca, nuk kam ku t’i marr hua forcat.
Ato kanë vdekur bashkë me një pjesë të shpirtit tim. Kjo që më ka mbetur është vetëm rezerva e fundit, si mielli i vjetëruar në fund të një sënduku ushqimesh.



Print pagePDF pageEmail page