Kardigan


… Më ke dashur, e di. Sipas metrit tënd të dashurisë, me pikatoren gjithmonë përqendruar që të numëronte rreptësisht piklat e dashurisë që më dhuroje, më falje, më… cili është varianti i saktë i asaj që kam ndër mend në shqip? Më vjen fjala në gjuhë të tjera, por jo në shqip. U shpërndamë nëpër botë ne shqiptarët, zogj marrucë e të përhumbur me pendët që na kullojnë gjak… Më ke dashur, jam e sigurt për këtë, ndonëse kjo nuk të pengonte të lije mendjen edhe për të tjera gra dhe këtë të ma pohoje pa pikë mëshire. Dashuria për mua nuk të pengonte të më fyeje e lëndoje shpeshherë me mospërfillje apo përbuzje ndaj emotivitetit tim të marrë…
Plogështia po mbaron… po çan drejt sipërfaqes një nga karakteristikat që na ka marrë më shumë në qafë ne ballkanasve, krenaria e pakufi, krenaria kaq pak e mençur. Por tani kam nevojë për të, edhe pse e di që kjo e famshme krenari është më shumë fodullëk prej budallai, që ne e nxjerrim nga xhepi sa herë nuk jemi të zotët të zgjidhim problemet tona. Pra mirëseardhtë krenaria kokëfortë absurde e gjithpushtetshme e sëmurë shkatërruese miope e paarsyeshme. Kam aq shumë nevojë për një ndjenjë të tillë vullkanike…


Kishte ikur nga Shqipëria pa ethe dhe shpresa të veçanta. Nëse ikjet e shumë të njohurve ishin plot iluzione dhe ngazëllim, e saja ishte një ikje e lodhur, e sopitur, si plaçkat e pakta që palosi ngadalë në valixhen e këndshme prej bezeje. Mamaja e kishte vështruar në heshtje, duke iu shmangur dhomës ku ajo paloste plaçkat që po merrte me vete, sikur të mosparit e veprimit praktik të përgatitjes do ta zhbënte ikjen, do ta asgjësonte atë. Do më telefonosh sapo të mbërrish në Romë? Vazhdonte ta pyeste sa herë uleshin për të ngrënë darkë. Ina vuri re se për një arsye që asaj i vidhej nga logjika, Liliana i lutej vetëm gjatë darkës që Ina t’i telefononte, e kurrë kur hanin mëngjes apo drekë. Por gjithë njerëzia asokohe kishte tike mentale të çuditshme, dhe natyrisht e ëma kishte të vetat.
Ajo shpresonte që kur të ishte në Itali, të shkëputej për disa kohë prej shqiptarëve të tjerë. I vetmi mendim i qartë ishte dëshira që të shkundte prej shpatullave kontrollin e të tjerëve, si një mantel i stërvjetër që ka arritur në një pikë të tillë vjetërsie sa edhe të larit e të hekurosurit më obsesiv, nuk mundet ta kthejë sadopak në një gjendje të pranueshme.


– Ti nuk po ikën për shkak tonë, Inë?
E pyeti babai tri ditë para se të nisej, valixhja ishte gati, pasaporta me vizën e rregullt dergjej në dhomën tjetër mbi komodinën krah shtratit.
Ajo nuk u gjegj. Përqendroi vëmendjen përtej zhurmave të lagjes, në uturimën konfuze të natës diku tutje, diku në mënyrë tepër të përgjithshme. Ishte tepër nxehtë edhe për Tiranën e mësuar me të nxehtën, dhe tepër ankth mbartte nata, mendoi Ina ngathët, tepër ankth edhe për Tiranën e mësuar me ankthin. I ati priti një kohë të gjatë, dhe ajo për gjithë minutat ndjeu bezdi ndaj pritjes së tij të nënshtruar.
– Inë?
Ajo ndezi një cigare. Ulur në dy stolat e vegjël të ballkonit mbushur me mëllaga gjysmë të thara, silueta e saj dhe e babait ishin të palëvizshme, ngrirë në moskuptimin tashmë tepër të vështirë për t’u asgjësuar.
Ti po ikën për shkakun tonë, përsëriti burri me një zë të vuajtur. Ina mundohej të merrte frymë sa më ngadalë që mundte. Cigarja zuri të dridhej dhe ajo qau në heshtje, duke gëlltitur hidhësinë e fjalëve që nuk donin të dilnin nga gryka. Jo tha me vete, nuk dua të flas tani, lermë të qetë. Babai kalonte dorën në flokët e rralluar dhe vazhdonte të përsëriste si robot se ajo po ikte për fajin e tyre. Ishte tepër errësirë për të parë se e bija po qante, yjet që bulëzonin qiellin me një hare kalamajsh të çoroditur ishin tepër lart dhe ai nuk kishte dëshirë t’i vështronte. E vetmja gjë që shihte qartë në zinxhirin e pafund të ditëve që do pasonin, ishte largimi përfundimtar i së bijës. Ai e dinte se ajo nuk do të kthehej më. Kurrë. Ajo vajzë në një farë mënyre nuk u kishte përkitur asnjëherë. Kishte patur diçka mes tyre dhe saj, diçka të pakapshme e të mundimshme që ishte shtrirë tinzare që kur ajo kishte filluar të shndërrohej nga fëmijë në grua. Tani po ikte për të mos u kthyer më, ndonjëherë ndoshta do vinte për ndonjë vizitë të shkurtër, me ndonjë dhuratë në çantë, vështrimin gjithmonë të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe aq.
Nuk është faji juaj, kishte dashur të thoshte Ina. Por në paralizën e natës së zbrazët kur shpresat që gjithë të tjerët kishin palosur mes bagazheve të varfra nuk arrinin t’i jepnin forcë, atë natë, nuk gjeti as edhe një gjysmë fjalie çalamane që të ngjasonte sadopak me ngushëllimin apo shkarkimin.
Ego te absolvo. Në emër të jetës ngricës dhe dashurisë.


Muaj më vonë nga Roma, në një natë pothuajse të ngjashme, u përpoq t’i shkruante një përgjigje babait. Por letra kishte mbetur e cungët dhe ajo kishte vendosur të mos e dërgonte. Sa herë hapte sirtarin e vogël ku ruante letërshkëmbimin, letra pa zarf e akuzonte hapur. Ajo e dinte se pyetja e babait ishte e logjikshme, ai kishte nevojë të dëshpëruar të kuptonte, të shkarkonte veten dhe të shoqen nga pjesa e fajit që nuk u përkiste. Por Ina ndiehej e zbrazur nga gjithçka, dhe sado të përpiqej të mohonte apo të gjente mijra arsye të tjera për t’i qetësuar e për të pranuar pjesën e vet të përgjegjësisë, gjithçka do të kishte tingëlluar false. Do kishte dashur të pranonte para tyre të vërtetën. Po ikte edhe për arsye të tjera, ndoshta krejt të pakuptueshme për prindërit si edhe për shumë bashkatdhetarë të saj që po largoheshin për ta lypur, vjedhur apo fituar lumturinë nëpër botë.
Kështu, secili me peshën e vet. Tani nuk do ishte e nevojshme të bënin sikur kuptoheshin, secili le të mbartte në vete thesin e plumbtë të fakteve apo ndjesive. Ata le të vazhdonin të ëndërronin tipin e vajzës që do kishin dashur të kishin në vend të asaj që u kishte rënë në pjesë. Dhe ajo le të besonte më në fund se kështu nga larg, nuk do kishin përse ta qortonin ngaqë ishte e paaftë të sillej si gjithë të tjerat. Por me një përgjigje të tillë do t’i lëndonte edhe më shumë, dhe si ajo e si ata, nuk kishin më forca për të duruar dhimbje të tjera.


Brenda një kohe të shkurtër, por të ngjeshur me ngjarje, Elvira Dones vjen te lexuesi me romanin e saj të dytë. Tashmë me një stil të konsoliduar dhe mjaft të personalizuar, ajo trajton sërishmi temën e emigracionit.
Në qendër të romanit, prapë një vajzë si të gjitha ato që në rrugët e ikjes u munduan të gjejnë ngushëllim për iluzionet e humbura, e pse jo dhe ringjalljen e tyre. Një vajzë sa e brishtë aq dhe e fortë, sa e paqtë në dukje aq dhe krenare, që, duke mos harruar të djeshmen ndërton të nesërmen, sa të ndryshme aq dhe të ngjashme me atë të brezit të saj.
Shtëpia botuese Çabej ka bërë zgjedhjen e duhur me prozatoren e re, Elvira Dones.
Dhe ju, lexues të nderuar do të ndjeni se keni bërë zgjedhjen e duhur pasi të keni lexuar romanin e dytë të saj.

UNIVERSI SHQIPTAR I LIBRIT, Nr. 4, 1998



Print pagePDF pageEmail page