nga:
"Më pas heshtja":
(shtëpia botuese Sejko,
Elbasan, 2004)

Andrea mbyll zërat e impiantit të montazhit
një e nga një. Kur mbërrin në komandën përfundimtare të fikjes së
kompjuterit i duhet të luftojë me dëshirën e ringarkimit të programit.
Mbathja që këtu thotë me zë, në vend që të shohësh këto kaseta të
mallkuara.
Vë rregull në shënimet e vizionimit të një
pjese të materialit të xhiruar. I ndryn me kujdes në sirtarin e parë të
skrivanisë. Kalon nga lokalet e tjera të punës për të përshëndetur
kolegët që kanë mbetur ende në ndërtesë dhe del, me hap të shpejtë
tani.
Kish kohë që nuk shihte material të xhiruar
aq bukur nga kontinenti i saj.
Në veturë nuk e hap radion. Gumëzhima e
motorit i dhuron pak mirëqënie. Një mbrëmje të gjithën për vete, thotë
Andrea me molisje. Një mbrëmje në kujtim të kohëve të shkuara, të
epokës paraErik, një litar kohe i nyjëzuar i vetmuar i bukur dramatik
mizerabël i përqëndruar për t'u patur zili.
Erik atë mbrëmje është për darkë me një
mik të vjetër të vetin. E ajo ndihet çuditërisht e lehtë.
Por kur hap derën e apartamentit, trishtimi i
është shtruar mbi ndërgjegje si një qilim i lagur.
Pret deri sa bie terri. Dëgjon kohën që
rrjedh: një klesidrë e krisur mes duarve. Ka hequr sandalet. Ka vënë
këmbët mbi njerën prej karrigeve dhe vështron ngjyrën e metaltë të
thonjve. Ka lënë çantën e punës mbi tryezë. Kjo e fundit
ishte krejt e zbrazët para pushtimit nga çanta. Andrea lë kokën për
sipërfaqet e padhunuara, të lëmuara, esenciale në ngrohtësinë e
drunjtë. Sikur të kish më shumë hapësirë, të paktën një dhomë më
shumë, do ta kish shndërruar atë në një dhomë-dollap për t'iu shmangur
mobiljeve me kanata në dhomën e gjumit e kuzhinë. Nuk i kanë pëlqyer
askurrë dollapet.
Bën ngrohtë. Ajo ngrihet dhe vështron
termometrin e murit. Edhe dy gradë më shumë e do të ishte nxehtë. Nuhat
sqetullën. Nën aromën e djersëmbrojtësit gjen erën e njohur të
lëkurës së vet.
Hap ujin e dushit thuajse të ftohtë krejt,
zhvishet me të shpejtë dhe futet në të. Këqyr kokrrizat që i
shpëthejnë mbi lëkurë, të befasuara nga aq mardh i papritur.
Më pas del nga apartamenti dhe le çelësin
nën qilimthin e fshirjes së këmbëve. Ndoshta Erik mbaron takimin me shokun
shpejt dhe e befason me një vizitë. Por mosrespektimi i vullnetit të saj
nuk bën pjesë në karakterin e tij. Bëhu i paedukatë, psherëtin Andrea,
bëhu madje edhe harbut për një herë të vetme, është kaq e shkretë
mbrëmja pa ty.
Nis të vrapojë.
Pylli është i veshur me misteret e tij, ndaj
nuk ia vë veshin gruas së re. Diçka hungëron larg, në qytet, apo në
autostradën që çon në veri të kantonit. Andrea ka rrasur kapelen e lehtë
me vrima që në strehëz mban të fiksuar një llampëzë.
Ai pyll e njeh hapin e saj prej dy vjetësh.
Zbrazëtia e tij gjatë ditëve të javës i ka ngjallur ngaherë ndrojtje
Andreas. Kërcënimi që fshihet mbas dritëhijes së trungjeve, vrapi i
shpejtë i ndonjë qeni ikanak nga shtëpitë rrotull pyllit, kuturisja e saj
në gjirin e tij pavarësisht nga frika që ndjen…, Andrea i përjeton këto
si një sfidë për të cilën jo rrallëherë e ka quajtur veten budallaqe.
Fundjava është ndryshe, ngaqë vrapuesit
derdhen aty nga të katër anët e qytetit. Por atë mbrëmje pylli është i
shkretë. Diku në mes të udhës ajo sheh përpara saj një çift vrapuesish
të tjerë. E ngadalëson hapin për të ruajtur largësinë.
Çifti duhet të
ketë një farë moshe, vëren Andrea, siluetat lëvizin me një
zhdërvjelltësi të matur. Hijet e reja në moshë lëvizin me arrogancë.
Ato më të moshuarat vrapojnë me urtësi: kanë rrumbullakësi në harqet e
përshkruara nga krahët, një kujdes gati të dhimbshëm në këndëzimin e
supeve.
Dy vrapuesit duhet të kenë pak a shumë
moshën e Ezekiel Ramon Garsias, mendon papritur Andrea. Ndoshta disa vjet më
të rinj. Ndoshta jo. Ndoshta edhe ai do të vraponte kështu, po ta kish
arritur atë moshë. Ase do të ishte një burrë dembel e do të urrente çdo
gjë që kish të bënte me ushtrimin fizik?
Çfarë profesioni do të kish zgjedhur ai në
jetë vallë, po t’i kishin lënë kohë të dilte nga rinia e parë?
Ishte njëzet e gjashtë vjeç kur ia kishin
prerë vrapin në mes: kish qënë student i vitit të fundit në shkencat
politike.
Andrea ndalet. Këto përqasje e therin më
dysh. Sytë ndjekin shpinat vrapuese të çiftit, largësia mes tyre e saj
bymehet me shpejtësi. Llampëzat e vogla mbi ballet lozonjare të të
panjohurve tallin errësirën.
Ajo del me hap të ngadaltë nga pylli dhe hap
portën e veturës. Kërkon cigaret në sirtarthin nga ana e pasagjerit dhe e
ndez një, duke thithur gjatë, pa e lënë tymin t'i dalë nga gryka.
Mbështetet në ijen e shasisë dhe vështron natën.
Ezekiel Ramon Garsia do të mbartëte mbi supe
peshën e pesëdhjetë e dy vjetëve, po të ishte gjallë. Do të ishte një
burrë i bukur, një pesëdhjetedyvjeçar joshës me të cilin ajo, Andrea, do
të kish patur mundësinë të grindej; ta kundërshtonte; t'i thosh se ai
s'kuptonte asgjë; se kish mbetur mbrapa; se kish ardhur çasti që t'i
ftillonte më në fund idetë e tij të ndryshkura; se brezat e tyre ishin aq
të ndryshëm, krejt të ndryshëm e ajo s'dinte ç’të bënte me
idealizmat e tij.
Quhej Ezekiel Ramon Garsia. Ishte burri që i
kish dhënë jetën. Quhet ende Ezekiel Ramon Garsia. Ajo është e bija e
Ezekiel Ramon Garsias dhe Monica Lara Garsias. Ia thotë këtë natës me zë
të lartë.
Do të kish bërë biseda pafund me atë
burrë, po t’ia kishin dhënë atë mundësi.
Andrea Garsia po e kërkon ende të atin, mbas
njëzet e gjashtë vitesh nga çasti i ndarjes.
Duhet të jetë diku, një djalë
njëzetegjashtë vjeçar në fotografinë e ngrirë në kujtesën prej fëmije
të Andreas: një djalë i ngujuar në moshën e tij, një nga të shumtët
që nuk mundën të plakeshin dot përveç vjetërimit të dy viteve nën
tortura. Masakruar, përplasur nga njeri burg në tjetrin, nga një stadium
në tjetrin, nga njeri garazh torturash në tjetrin.
Qe plakur gjatë atyre dy viteve, i ati. Ish e
vetmja gjë që Andrea pati mundur të mësonte nga rrëfimet e të paktëve
të kthyer nga ferri i viteve të diktaturës ushtarake. Ajo dinte që nuk e
kishin vrarë me një plumb pas qafe, si të ëmën, Monikën. Ezekieli kish
vazhduar të gjallonte edhe dy vjet më pas, pa e ditur që e shoqja tashmë
qe ngujuar në një mur çimentoje në themelet e një pallati.
Ata kishin shkurtuar jetën e Monikës dhe
kishin plakur jetën e Ezekielit në elektroda torturash; kishin djegur mishin
e tij në netë të ngrohta si kjo.
E ndoshta, mes një torture e tjetrës, ai nuk
kish mundur as të varroste pak nikotinë në palat e mushkërive të lodhura.
Ndoshta i ati nuk e pinte cigaren? Ajo nuk mbante mend ta kish parë me cigare
në dorë.
Çfarë i kish thënë pusit të qelisë
netëve, Ezekiel Ramon Garsia?
Do e ketë ulëritur tmerrin e tij?
Do ketë qarë i çliruar, duke ia besuar
territ dobësinë e frikës njerëzore?
Do ta ketë pritur natën ai njeri? Apo me
avitjen e saj do ketë ndjerë edhe më çmeritje se gjatë ditës?
Ç'ka menduar në ata sekonda, orë, ditë,
muaj, vite torturash?
Sa kohë e sa mund u qe dashur xhelatëve para
se ta thyenin? E kishin thyer?
Ka ulëritur vallë;
ka kërkuar mëshirë;
ka mallkuar;
është përpjekur të vetëvritet;
ka besuar më në fund në Perëndinë, apo e
ka përçmuar këtë më shumë;
ka shprehur një dëshirë të fundit;
apo qe gjallë.
Apo qe gjallë?
Apo është gjallë?
Vallë ende jeton diku, fshehur nga të
gjithë, arratisur nga ferri i së shkuarës, nga përçudnimi i ëndrrave,
strukur nga vetvetja, tëhuajtur, pështirosur nga e tashmja, arratisur edhe
nga ajo vetë, Andrea, bija e vetme që po e pret prej njëzet e gjashtë
vitesh.
E kish menduar ai? Kish thirrur emrin e së
bijës në terrin e qelive? Apo kish patur frikë mos emri i Andreas lyhej me
gjak në katakombet ku jeta përqeshej.
I kish dhënë ndopak forcë shqiptimi i emrit
të saj, emër që ai vetë kish këmbëngulur t'i vinte? I kish dhuruar
domethënie emri i saj, tek hidhte vallen e vdekjes me elektrodat në
testikuj?
Apo tmerri qe më i madh se gjithçka, e
kujtesa e tij kish mbajtur veç gozhdën e durimit ngulur në vëmendje.
Përse nuk e kishin dashur aq sa të mos e
linin vetëm, prindërit e saj? kish pyetur Andrea veten gjatë gjithë atyre
viteve.
Pse nuk e kishin dashur të bijën aq sa të
mos e linin veten të arrestoheshin nga xhelatët e Videlës?
E kishin dashur vallë?
Apo Andrea kish qënë veç një aksident në
aktin e tyre dashuror, një bezdi e pavullnetshme për të cilën ndoshta mbas
kostatimit të shtatzanisë kishin mërmëritur dreqi
ta marrë.
E kishin dashur thellësisht më pas, kur
Andrea kish lindur? Apo ajo kish qenë thjesht një dhembshuri e hutuar që
nëpërkëmbej mes luftës së tyre për të ndryshuar botën?
E kishin dashur vallë, e kishin dashur,
idealistë të një bote të përdalë?
Andrea e kish masakruar Abuelën me këto
pyetje për vite me radhë. Qenë grindur. Abuela qe zemëruar e qe ndjerë e
pafuqishme para dëshpërimit të mbesës.
Në krye e kish qetësuar, i kish treguar
dhjetra hollësira rreth atyre gjashtë viteve që kishin jetuar bashkë:
Monika, Ezekieli e Andrea. Ia kish pikturuar me ngjyra të ndezura lojrat që
prindërit patën bërë me të. I kish treguar fotografitë e tyre: ishin
flokëshumë e të qeshur, me vështrime të qashtra. Andrea kish parë veten:
një fëmijë me kaçurrela bjondë e sytë e stërmëdhenj që zinin gjysmën
e fytyrës; Monika që qesh duke bërë jo me dorë në drejtim që
atij që po i shkrep fotografinë; një tjetër Monikë, në profil tani, në
të cilin Andrea njeh një kopje të hundës së saj.
Nuk bënin shumë fotografi prindërit e tu,
shfajësohej Abuela, ishin si furtuna në verë, të gëzuar e kalimtarë.
Por të kanë dashur zemra ime, oh sa shumë
të kanë dashur.
Nuk të besoj, i kish bërtitur ajo. Nuk dua
të të besoj. Ti nuk je ata. Ti nuk di asgjë rreth tyre, siç nuk dinë
shumë prindër që kanë fëmijë njëzetvjeçarë.
Të lutem besomë. Nuk ke si të mos më
besosh. Ti duhet të më besosh. Pse më mundon kështu shpirt i
gjyshes? Unë vetëm ty të kam.
Andrea qe ndjerë në faj.
Më fal, e kish përqafuar me dhjetra herë,
më fal.
Pak kohë pas largimit të Andreas për në
Evropë, Abuela kish vdekur.
Dhe gjithçka kish mbetur pezull në jetën e
saj, mbështjellë nga një heshtje pritëse që pritje nuk ish.
Vite më pas, tek udhëtonte në kërkim të
një profesioni që të kish sa më pak nevojë për fjalë, bashkë me
stazhin për të përvetësuar teknikën e montazhit televiziv, kish
mbërritur tek Andrea e shkruara. Qe tjerrë pak e nga pak si një fije
mëndafshi në një klimë armike, për t’u shndërruar në një pëlhurë
të madhe, brenda së cilës ajo qe ndjerë në mos e shpëtuar, të paktën e
ngrohtë. Por sa më shumë shkruante, aq më shumë i rritej malli për të
atin.
Ajo e kish kërkuar atë burrë. Të ëmën nuk
kish si ta kërkonte. Shpresat e Andreas, sado të verbra e kokëforta, nuk
lidheshin dot me Monikën. E ëma kish një varr, nën një pallat prej
betoni. Por Ezekieli endej akoma diku, s’kish rëndësi se ku.
Nuk kish kaluar ditë e natë në jetën e saj
që ajo të mos e kish kërkuar Ezekiel Garsian.
Ai i pati premtuar se do të kthehej. Ia pati
premtuar tek dilte nga dera, tek e shtynin me kondakët e pushkëve drejt
daljes: shtëpia një det i përgjakur nga ulërimat e saj prej fëmije
gjashtëvjeçar.
Monikën e kishin arrestuar një javë më
parë.
Mos u tremb Andrea, unë do kthehem, mos ki
frikë, do kthehem patjetër, do shohësh që do e mbaj fjalën, shko te
Abuela e më prit atje. Ne do kthehemi! Ne do kthehemi André, shpirt i babit,
André, të dua shumë, mos u tremb, ne do kthehemi, na prit te Abuela, unë
do vi patjetër!
Andrea e pati pritur. Kish qënë një pritje e
gjatë dymbëdhjetë vjet.
E kish pritur deri ditën kur mbushi të
tetëmbëdhjetat.
Por Ezekieli nuk kish trokitur më në atë
portë.
Shtëpia ndërkohë qe plakur.
Asgjë s'e lidhte më me Argjentinën.
Nuk mund të rrish atje ku të pret asgjëja.
Dhe pati ikur. Për të mos u kthyer kurrë
më.
Jo, ajo nuk mund t’ia vinte në fjalë Erikut
gjithë këtë. Nuk mund ta linte të dashurin të hynte në ato labirinte.
Ish dashuruar thellësisht pas tij, i qe mirënjohëse për faktin që ai kish
trokitur në derën e saj, por nuk duhej, nuk mundtëte kurrsesi të shtyhej
më tej, ç'ishte e saj le të mbetej e saj.
Ndjemë Erik. I tha me zë në kabinën e
veturës, tek kthehej në shtëpi. Llampëza në sedilen e pasagjerit kish
mbetur e ndezur e përhidhej sipas ritmit të kurrizeve të asfaltit.
Asnjë prej të dashurve të shkuar nuk kish
depërtuar në heshtjen e Andreas ngaqë ajo nuk ia kish lejuar kërkujt. Por
ish edhe e vërtetë që askush prej tyre nuk qe shndërruar dot në një
Erik, sado që qenë përpjekur.
Vetëm njëri syresh kish këmbëngulur, duke
pritur që asaj t'i bëhej e domosdoshmme prania e tij. Por Andrea e kish
shkapërderdhur kohën mes duarve, aq sa tjetri kish humbur durimin dhe qe
larguar pa dhënë asnjë shpjegim: pa një fjalë përshëndetje, pa
zemërim.
Andrea nuk kish ndjerë keqardhje.
Por ti mos ik, Erik, ti nuk duhet të ikësh,
tha me të hyrë në prag të shtëpisë së saj. Ik të lutem.
E përfytyroi të dashurin tek flinte, me
krahun e majtë nën faqe, ndoshta fjalorin spanjisht-italisht mbi komodinë,
për të kuptuar më mirë atë që po lexonte.
Mbas leximit të romanit, ai do të qëndronte?
Andrea iu afrua kompjuterit. Kaloi duart mbi
tastierë. Silueta e kokës së vet iu faneps në ekran, e rregullt dhe e
errët.
Ajo kish humbur përgjatë viteve kaçurrelat
dhe bjondësinë e flokëve. Këta binin tani të drejtë e të rëndë, me
një autoritet të ashpër. Nga fëmijëria i patën mbetur vetëm sytë,
përjetësisht të alarmuar, të mëdhenj.
Ezekiel Ramon Garsia do ta kish njohur të
bijën nga sytë, edhe pse kishin rrjedhur njëzet e gjashtë vite që nga
ndarja e tyre.
(nga:
Më pas heshtja,
roman,
Shtëpia Botuese Sejko,
Elbasan 2004,
© Elvira Dones)
|