ADS


If you'd like to place your advertisement here, on this blog, please contact
Elvira Dones



, , , ,

Me një farë druajtjeje po nis këtë blog. Jo ngaqë nuk kam familjarite, në të kundërt – u bënë kohë që e kam një syresh, me kërkesë të njërit prej botuesve të mi italianë: Feltrinelli-t, por sepse mbetet gjithëherë kënaqësi bashkëbisedimi me ata që më lexojnë apo jo; me ata që kanë diçka për të thënë apo jo; me ata që, në vend që të kthejnë kokën e  sytë gjetkë, rreken të kuptojnë, të torturojnë veten e të tjerët me pyetje.

Sa më përket, shoh më me shqetësim njerëzit që nuk kanë koklavitje e që dinë gjithçka, që nuk i rrjep dyshimi por u fryn gjokset besimi sipëran. Mirë për ta. Por nuk është rruga ime.

Kjo do të jetë një tryezë bisedimi në gjuhën tonë, sepse blogu tjetër është në gjuhën italiane e aty më ndjekin shumë shqiptarë me banim në Itali. Ky blog do të jetë në gjuhën shqipe e për këdo, kudo që të jetë. Nuk besoj se ajo që them ka më vlerë se  e tjetërkujt. E vetmja ndjesi e palëkundshme është se aq sa bëj ka një kënaqësi thelbësore: të japë e të marrë me njerëzinë e çdo ngjyre, gjuhe, kahu, humori.  Ndaj në bisedë ajo që përjashtoj nga tryeza është dhuna e fjalës e, në mënyrë metaforike, madje jo, në mënyrë konkrete: nëse – kushdo qofsh – i përqasesh kësaj tryeze me paqe, dyshim, kundërshtim, mohim mirëseardhsh. Por po erdhe me sharje e fyerje vetjake, me rrugaçëri psikologjike prej predatori, të më ndjesh që tani: nuk do jap litar. Jo sepse i frigohem asaj që mund të më hidhet përsipër. Nuk ka asgjë që deri më sot nuk më është hedhur përsipër e nuk e kam mbajtur. Por sepse nuk kam çfarë të fjalos me dhunën. Nuk mundem, nuk është në rrembat e mi. Dhe ajo që kam zgjedhur të bëj në këtë jetë me shumë përunjësi, është në radhë të parë për kënaqësinë e pasionin tim vetjak e jo për atë të të tjerëve. Ndaj kush do të dëfrehet nëpërmjet dhunës le ta bëjë, por nuk do të ketë vend këtu. Unë rrëfej. Mirë a keq, kjo është në shijen e kujtdo që më ka lexuar, më lexon apo më shikon nëpërmjet punës filmike… E vetmja” sipërani” që i lejoj vetes është ajo e edukatës fillestare, siç mendoj se duhet të jetë për çdo njeri të urtë.

“Dritëheshtje” është titulli që vendosa t’i vë këtij blogu. Rrëfimi mbi arsyen e tij do të vijojë një ditë tjetër. Nëntitulli, përkah, nuk është aspak origjinal por nostalgjik.

Në vitet e jetës në Zvicër ndiqja rregullisht një emision që transmetohej në stacionin e parë të shërbimit publik të radios zvicerane në gjuhën franceze. Ishte një kënaqësi ndjekja e atij emisioni drejtuar nga kolegu Patrick Ferla. Kur më del koha – rrallëherë – që nga Washington sintonizohem me “Presque rien sur presque tout”. Por titulli, përpos përmbajtjes, është ai që më shumë se gjithçka e atij emisioni më ka bërë shoqëri përgjatë viteve: “Thuajse asgjë mbi thuajse gjithçka”. Patrick Ferla, kolegu romand pat huazuar titullin për emisionin radio nga një roman homonim i Jean d’Ormessan, botuar nga shtëpia botuese franceze “Gallimard” në 1996. Ndaj nuk besoj se duke huazuar titullin edhe një here tjetër po i vjedh diçka dikujt.

Në varësi me mënyrën si do të zhvillohet ky bashkëbisedim, do të emërtohen degëzimet e blogut. Idetë mbeten brenda meje. Lexuesi ka mundësinë të ndërmarrë sëbashku me mua këtë apo atë kah.

Washington D.C., 2010-02-07

5 Responses to “Dritëheshtje – Thuajse asgjë mbi thuajse gjithçka”

  • Eva:

    E dashur Elvira,
    me shumë kënaqësi e prita blogun tënd në shqip. Jo prej ndonjë ndjenje të theksuar patriotizmi, iu gëzova shqipes, por thjesht prej një nevoje për komoditet. Sepse megjithëse shpesh më ka lënë ne baltë, tek kërkoj një fjalë a tjetër ta përkthej në këtë gjuhë, jo vetëm që nuk i mbaj mëri, por edhe i jam mirënjohëse kur herë të tjera nuk më duhet të vras mendjen, a shkruhet me dopio “p” kjo fjalë apo me një. Pra le të them se iu gëzova shumë mundësisë së asaj lehtësisë që të ofron familjariteti e që e shijon pa shumë komente. Ka sidoqoftë edhe një arsye madhore për të cilën iu gëzova blogut tënd në shqip. Ti nuk ke shkruar më në shqip e mua kjo më ka munguar. Shqipja jote ështe e veçantë e prekshme dhe e depërtueshme, aq sa më duket sikur jam shprehur vetë a sikur të përshkruarën e kam përjetuar vetë. Një eksperienzë magjike, siç janë të gjitha ato të përjetuara me vemendje të plotë.
    Titulli i blogut më frymëzoi menjëhere për t’u lëshuar pa ndonjë strukturë të caktuar por në të njëjtën kohë për t’u përmbajtur në diçka konkrete. Sot lexova versionin shqip të letres tënde të hapur ndaj Berlusconit. Me preku shumë dhe m’u duk një përgjigje e goditur, siç i thonë, i kishe vënë pikat mbi “i”. Kur dëgjova batutën e Berlusconit, pa arritur ta kategorizoj akoma atë që tha e ta gjykoj, më erdhën në mendje menjëherë ato vajzat e bukura në emër të të cilave e shkruaje letrën. Para se të aktivizoheshin filtrat e gjykimit të kthjellët, reagoi pra më shpejt nje emocion nga kujtesa e hershme. Kështu i ka renditur prioritetet e saj ndërgjegjia dhe mirë e ka bërë. Sigurisht që kjo renditje do ishte stabilizuar ndryshe tek unë e emocioni s’do ishte aq i menjëhershëm, sikur të mos kisha përjetimin magjik që përmenda më sipër, pas leximit të “Yjet nuk vishen kështu”.
    E pra shumë më pëlqeu që munda të të shkruaj diçka mbi pothuajse gjithcka që më frymëzoi sot në shqip…aq sa edhe shtypjes së “ë-ve” nuk i përtova.
    Përshëndetje nga Berlini

  • E dashur Eva,
    mirëseerdhe. Je vizituesja e parë që le një koment, ndaj nuk mund të të mos përgjigjesha menjëherë. Do kthehem tek ti më vonë, te premtoj. Sot është një ditë e pazakonshme për nga ngarkesa e intensiteti. Ajo që kem për zemër në këtë blog është krijimi i një bashkebisedimi të hapur, mes njerëzish të vullnetit të mirë… E mandej, sa për të cikur kureshtjen, kush tha se nuk jam duke shkruar në shqip?
    Së shpejti, pra.

  • E dashur Anjeza,
    è notto fonda a Washington e sapo lexova për sulmin e kryeministrit shqiptar Sali Berisha mbi personin tim. Dhe ndihem e trishtuar për të: njeriu në fjalë nuk e kupton asfare se çfarë autogoli ka bërë me këtë “pështymë” të tijën, non riesce nemmeno a capire il danno che ha fatto e fa, regolarmente, a se stesso, alla sua coalizione e prima di tutto al suo/nostro paese. Ma di quest’ultimo credo che gliene freghi ben poco.

  • Kamela Guza:

    E dashur Elvira,
    jam e lumtur qe po shkruaj ne shqip.
    Tani jam ne nje moment shume te shpejte. Me vjen keq qe nuk mund te zgjatem me tej, po nuk mund te mos e them nje fjale:…e duket se dicka po leviz. Kisha te njejten ndjesi kur lexova letren drejtuar Berluskonit. Po tani e ndiej me fort.
    Do te degjohemi se shpejti.
    E adhuroj fjalen “Driteheshtje”. Eshte me nje pasuri te pamatshme per mua.
    Te pershendes perzemersisht.
    Kamela

  • Eva:

    E dashur Elvira,
    eshte e djele pasdite me vape e zagushi njeheresh. Me te paktin oksigjen perceptoj vec nje nevoje, ate te jem diku tjeter, qofte edhe ne fantazi. Dhe ne fakt nje shperngulje ne nje vape te tille vec ne fantazi eshte e realizueshme, prej ndonje libri a prej internetit. Keshtu erdha tek faqja jote per te lexuar nje lajm te mrekullueshem mbi botimin e librit tend te ri ne tetor. Nje titull qe zgjon kuriozitet e shume pyetje: eshte e vogel, eshte e perkryer, per cilen lufte eshte fjala? Per ate te Kosoves fjala vjen? Per ndonje me aktuale? Apo behet fjale per ndonje lufte ne sensin figurativ? A thua te jete ndonje lufte ne cift p.sh.?
    Hm, deri ne tetor per nje pergjigje???!!! Mire se vapa do kete kaluar, kurioziteti edhe mund te jete tejkaluar, po padurimit si t’ia bej?
    C’te them, me qejf, po me mezi po pres ama!!!!
    Te pershendes, Eva

Leave a Reply